FOKUS – Algjeria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me EBA-n pas përshkallëzimit të tensioneve
ALGJER, 11 shtator /ATSH-DPA/- Algjeria njoftoi dje në mbrëmje se po ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), pas disa muajsh tensioni mes dy vendeve arabe.
Vendi i Afrikës së Veriut akuzoi Emiratet e pasura të Gjirit për kryerjen e veprimeve gjithnjë e më provokuese dhe armiqësore, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Agjencia zyrtare algjeriane e lajmeve APS, duke cituar Ministrinë e Jashtme, raportoi se, pavarësisht disa paralajmërimeve nga Algjeria, Emiratet kishin vijuar me veprimet e tyre të papranueshme dhe të pajustifikuara.
Sipas raportimit, vendimi i Algjerisë erdhi pasi ishin shteruar të gjitha mundësitë për ruajtjen e marrëdhënieve dypalëshe me Emiratet.
“Ambasadori i Emirateve në Algjeri, u njoftua për vendimin dhe iu dha 48 orë për ta zbatuar atë”, raportoi APS.
Nga ana tjetër, Emiratet shprehën shpresën se vendimi do të jetë vetëm i përkohshëm dhe se do të zbatohet në një mënyrë që të ruajë “marrëdhëniet vëllazërore” mes dy vendeve.
Ministria e Jashtme e Emirateve deklaroi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve dhe interesave të përbashkëta të dy popujve.
Pse janë tensionuar marrëdhëniet?
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar gjatë viteve të fundit.
Algjeria kundërshtoi vendimin e Emirateve për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin në vitin 2020.
Algjeria është gjithashtu e shqetësuar nga veprimet e Emirateve në vendet fqinje të saj, Niger, Mali dhe Libi.
Për më tepër, Algjeria ka akuzuar Emiratet për ndërhyrje në punët e saj të brendshme.
Në vitin 2024, Këshilli i Lartë i Sigurisë i Algjerisë kritikoi ato që i cilësoi si “veprime armiqësore” nga një “shtet arab vëlla”, një referencë që u kuptua gjerësisht se i drejtohej Emirateve.
Në një tjetër shenjë të përkeqësimit të marrëdhënieve, autoritetet algjeriane njoftuan në fillim të këtij viti, se po i jepnin fund një marrëveshjeje dypalëshe për transportin ajror, të nënshkruar në vitin 2013. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.