Hoxha: Një diplomaci moderne për Shqipërinë evropiane
Gjatë mbledhjes së Qeverisë të zhvilluar nga kryeministri Edi Rama në Pogradec, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka folur për drejtimin e politikës së jashtme të vendit dhe për nevojën e një diplomacie moderne, të lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian.
Në një postim në platformën X, ai e cilësoi Seminarin e Qeverisë si një moment të rëndësishëm për të analizuar çdo aspekt në imtësi dhe për të përcaktuar prioritetet deri në fund të vitit, përfshirë edhe diplomacinë.
Hoxha theksoi se vijimësia e suksesshme e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian mbetet objektivi parësor i Shqipërisë dhe se ky proces kërkon ritëm të shtuar, fokus të qartë dhe angazhim të plotë diplomatik.
Ai paralajmëroi se do të investohet më shumë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si kontribut për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, më të ndërlidhur dhe më pranë Evropës.
Një tjetër element i rëndësishëm i vizionit të tij është modernizimi i shërbimeve konsullore, duke i bërë ato më të shpejta, më të aksesueshme dhe më të orientuara ndaj qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, Hoxha nënvizoi se reformimi i Shërbimit të Jashtëm do të mbetet në fokus, me synimin për të krijuar një diplomaci moderne, profesionale dhe meritokratike.
Sipas tij, një korpus diplomatik i aftë dhe i zhdërvjellët do të përfaqësojë denjësisht vendin, do të mbrojë interesat kombëtare dhe do të krijojë më shumë vlerë të shtuar për Shqipërinë.
Ministri renditi disa objektiva konkrete, që sikurse tha ai, do kenë më shumë ndikim për imazhin e vendit dhe projektimin kulturor e shoqëror, më shumë lidhje me ekonominë dhe tregtinë, më shumë partneritete dhe mundësi ndërkombëtare, si dhe më shumë rezultate konkrete për qytetarët shqiptarë.
“Më shumë ndikim për imazhin e vendit dhe projektimin e tij kulturor e shoqëror; më shumë lidhje me ekonominë dhe tregtinë; Më shumë ndërlidhje, partneritete dhe mundësi; Më shumë rezultate konkrete për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.