Kurti uron Ditën e Bashkimit të Gjermanisë: Lufta mes demokracive dhe autokracive nuk ka përfunduar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, e cila shënohet më 3 tetor, duke e cilësuar ribashkimin gjerman si një kapitull të rëndësishëm të historisë moderne politike të Evropës.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar se më 3 tetor 1990 Gjermania u ribashkua formalisht, pas bashkimit të Republikës Demokratike të Gjermanisë me Republikën Federale të Gjermanisë, rreth një vit pas rënies së Murit të Berlinit.
Ai ka përmendur edhe historinë e ndarjes së Gjermanisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe përplasjen mes bllokut perëndimor dhe atij lindor gjatë Luftës së Ftohtë.
Sipas Kurtit, territori gjerman ishte shndërruar në një fushëbetejë të përplasjeve politike me shtrirje botërore, ndërsa ribashkimi i Gjermanisë ishte një nga rezultatet e rëndësishme politike të përfundimit të Luftës së Ftohtë.
“Bashkimi i Gjermanisë më 1990, është një kapitull shumë i rëndësishëm në historinë moderne politike të Evropës, tek i cili lexojmë fitoren e demokracisë ndaj regjimeve autoritare, por tek i cili shohim edhe referencën e shembullit të fuqisë paqendërtuese dhe prosperuese të bashkimit politik dhe kombëtar”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se përplasja mes demokracive dhe autokracive vazhdon edhe sot.
“Por lufta mes demokracive dhe autokracive nuk ka marrë fund, meqë betejat mes tyre zhvillohen çdo ditë në një vijë fronti të gjatë nga Rusia në Ukrainë dhe nga Britania e Madhe në vendet e Bashkimit Evropian, nga ShBA-të në Turqi dhe nga Atlantiku në Ballkan”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, kryeministri ka vënë theksin te rëndësia e historisë në vendimmarrjen politike.
“Sepse politika pa historinë është e verbër, ndërsa aspiratat politike pa kujtesë të kthjelltë dhe vetëdije të lartë nuk mund të drejtohen në kahjet dhe shpejtësitë e duhura për jetësimin e vullneteve politike”, ka përfunduar ai./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.