Mbyllet pas 7 orësh mbledhja e Ramës me të deleguarit dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, çfarë u diskutua në Pogradec
Pas rreth 7 orësh, ka përfunduar mbledhja e kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministrit Edi Rama, me 12 drejtuesit politikë të qarqeve të vendit, kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare dhe disa deputetë të PS-së, e zhvilluar këtë të diel në Pogradec.
Gjatë takimit, fokusi kryesor ka qenë mënyra e re se si administrata publike duhet të paraqitet përpara qytetarit, ofrimi i shërbimeve në mënyrë efikase e të shpejtë, si dhe komunikimi i ri mes ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve rajonalë.
Burime brenda takimit bëjnë me dije se Rama është ndalur veçanërisht te problematika e arrogancës në administratë, duke kërkuar një ndryshim rrënjësor të sjelljes së administratës ndaj qytetarëve, veçanërisht në rastet kur problematikat e tyre nuk kanë marrë zgjidhje.
Në takim është diskutuar gjerësisht edhe dokumenti “Besa” dhe mënyrat për përmirësimin e tij, me synimin për të ofruar një alternativë qeverisëse më të mirë për qytetarët. Pjesëmarrësit kanë ndarë opinionet dhe reflektimet e tyre edhe mbi dokumentin “Prania Besnike”.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë reforma administrativo-territoriale dhe shkrirja e disa bashkive. Mësohet se Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të bashkive që pritet të preken nga shkrirja t’u shpjegojnë qytetarëve se një proces i tillë do të sillte më shumë shërbime dhe në një kohë më të shpejtë.
Kryeministri u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve politikë që të nisin të mendojnë për emrat që do të garojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2027, duke kërkuar figura që janë më pranë komunitetit.
Sa i përket dokumentit “Besa”, Rama është shprehur se ai duhet t’u shpërndahet jo vetëm deputetëve, por edhe kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të partive përkatëse, në mënyrë që të gjithë të njihen me përmbajtjen e tij. Ai ka kërkuar gjithashtu nga drejtuesit politikë një prani më të madhe në komunitet.
Ndërsa kryetarëve të komisioneve parlamentare, Rama u ka kërkuar më tepër angazhim në media dhe më shumë kujdes në mënyrën se si ligjet dhe nismat përcillen te publiku.
Ndërkohë, ditën e nesërme pritet të raportojnë ministrat përkatës, të cilët do të paraqesin objektivat e vendosura më parë dhe atë çfarë është arritur deri më tani. Burime bëjnë me dije se pjesë e raportimit pritet të jenë edhe drejtues të agjencive të rëndësishme shtetërore, mes tyre edhe AKSHI.
Ndërkohë, në javën e parë të shtatorit pritet të thirret edhe Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejshëm të forcës politike në kuadër të objektivave të përcaktuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.