Pagat e magjistratëve/ “Koeficienti rritet në 0.38”, Bylykbashi prezanton draftin e PS; Bardhi: Puç kushtetues!
Projektligji për pagat e magjistratëve është prezantuar në Kuvend nga deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi.
Drafti parashikon ndryshimin e koeficientit të pagës, nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës.
Sipas Bylykbashit, formula e propozuar synon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa njëkohësisht të ruajë përballueshmërinë e detyrimeve financiare për buxhetin e shtetit.
“Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike”, tha ajo.
Projektligji parashikon gjithashtu që efektet financiare të formulës të njihen nga 1 prilli 2023.
“Efektet financiare të formulës do të njihen nga data 1 prill 2023. Detyrimet që krijohen për periudhën nga 1 prilli 2023 deri në 31 korrik të vitit 2026 do të mund të shlyhen gradualisht, por jo më vonë sesa dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, tha ajo
Sipas mazhorancës, ndryshimi i formulës synon të garantojë një trajtim financiar të përshtatshëm për magjistratët.
Ndërkohë Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po sfidon rendin kushtetues dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos zbatuar, sipas tij, vendimet e kësaj gjykate për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Bardhi tha se çështja nuk lidhet vetëm me pagat, por me pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe respektimin e Kushtetutës.
“Projektligji që po diskutojmë ka të bëjë me shtetin shqiptar, me sistemin institucional dhe kushtetues. Ju nuk keni vendosur vetëm të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni rendin kushtetues në vend. Keni vendosur të vijoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, Gjykata Kushtetuese ka marrë tre vendime gjatë shtatë viteve të fundit lidhur me mbrojtjen e pagave të magjistratëve. Bardhi argumentoi se pavarësia e gjyqësorit lidhet edhe me garancitë financiare dhe kundërshtoi uljen e standardit të trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Ky është vendimi i tretë i Kushtetueses për të njëjtën çështje, por ju refuzoni ta zbatoni. Ju nuk refuzoni thjesht të njihni autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, por vini në pikëpyetje themelet e Republikës. Nuk është më shtet i së drejtës ku pushteti politik e vendos veten mbi Kushtetutën. Nuk mund të ketë pushtet gjyqësor të pavarur nëse financat e tij varen nga vullneti i pushtetit ekzekutiv. Prokurorët dhe gjyqtarët po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016 dhe po kërkojnë standardin e përshtatshmërisë me detyrën dhe jo thjesht rritje page”, tha ai.
Bardhi deklaroi se grupi parlamentar i PD-së do të votojë kundër projektligjit të mazhorancës, duke argumentuar se ai nuk respekton Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.