“Pasqyrë Albania një mur për të mashtruar qytetarët”- Berisha akuza kryeministrit: Rama do që të vjedhë 130 mln euro
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së sotme për mediat (24 gusht) në lidhje me aeroportin e Vlorës.
Ai tha se kreu i qeverisë dhe vartësit e tij duan të vjedhin 130 milionë euro në Aeroportin e Vlorës.
“Aeroporti i Vlorës nuk duhej të ndërtohej kurrë aty, se aeroporti i Vlorës shkatërron përfundimisht habitatin e zogjve, e flamingove dhe zogjve të tjerë të asaj zone. Prandaj edhe ne e spostuam, do e ndërtonim tek kthesa e Levanit. I njëjti grup që na tha ne se nuk mund të ndërtohet aty për shkak të flamingove dhe zonës, i njëjti grup i tha edhe Edi Ramës në vitin 2017. Jo, i thanë, nuk ndërtohet këtu. Këta e ndërtuan. Ku mund të pengoheshin ata para 130 milionë vjedhje së bashku”, tha Berisha mes të tjerash.
Më tej, foli edhe për platformën “Pasqyrë Albania”, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama. Berisha deklaroi se kjo platformë është mashtrimi i radhës i kreut të qeverisë.
“Pasqyra është që tani e verbër, është një mur për të mashtruar qytetarët. Edi Rama, i damkosur botërisht dhe kombëtarisht, besoj e keni marrë vesh, temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Edi Ramës janë më të larta se temperaturat e mjedisit. Urrejtja kombëtare ndaj tij, nuk ka termometër që e mat. Por e tillë po bëhet urrejtja ndërkombëtare ndaj tij. Dhe ky njëherë nxjerr Besën, herë tjetër nxjerr Ndorjen, herë tjetër nxjerr Kanunin, tani nxori Pasqyrën. Kush i beson atij? Cili korrupsion, më thoni ju mua, cilin akt korruptiv parandaloi Diella?”, tha ai.
Dhe më tej vijoi:
“Zero. As nuk ekziston edhe një çip në përbërjen e saj që mund t’i japë një mundësi të tillë. Zero. Ka zero urtësi artificiale Diella. Pra, Pasqyra e Edi Ramës është mashtrimi i fundit i tij sepse siç e shihni është i rrënuar, besoj se e keni pare”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha foli edhe për ripërtëritjen e Partisë Demokratike, duke theksuar se partia do të kthehet tek anëtarët e mbështetësit.
“Platforma, apo do t’i referohemi Ripërtëritja, është një proces i gjithanshëm i kësaj partie. Në rastin konkret, komunikimi, roli, hapësirat për anëtarin dhe mbështetësin e PD, do të jenë objektivat më të afërta të saj. Pra, janë bërë studime të rëndësishme, janë nxjerrë konkluzione dhe mbi bazën e tyre do të ndodhë ajo që ne e kemi quajtur Ripërtëritje! Por në rastin konkretin partia rikthehet tek anëtarët, mbështetësit, roli, funksionet, idetë, veprimtaritë e tyre”, deklaroi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.