“Price Watch Albania”, platforma e re e kontrollit të çmimeve. Ibrahimaj: Zbulojmë ku ndodh abuzimi dhe rrisim transparencën
Nga muaji shtator, qytetarët do të kenë një platformë të re për të parë dhe krahasuar çmimet e produkteve bazë. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar lançimin e “Price Watch Albania – Pasqyra e Çmimeve”, një platformë që synon të rrisë transparencën në treg dhe t’u japë konsumatorëve informacion të drejtpërdrejtë mbi çmimet e produkteve bazë.
Platforma do të integrohet në “Pasqyr Albania” dhe do të mundësojë publikimin e çmimeve të produkteve bazë nga bizneset që operojnë në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Përmes saj, konsumatorët do të mund të shohin çmimin e një produkti, ta krahasojnë atë me çmimet në pika të tjera shitjeje dhe të zgjedhin se ku mund ta blejnë më lirë.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se platforma do të krijojë një pasqyrë konkrete të çmimeve në treg dhe do t’u japë konsumatorëve mundësinë të marrin vendime më të informuara.
“Çmimet e produkteve bazë nuk mund të jenë më çështje vetëm opinioni. Deri tani kemi folur për çmimet duke iu referuar indekseve, inflacionit, normave të rritjes në përqindje, ndërkohë që qytetarët duan të dinë se sa kushton një produkt dhe ku mund ta blejnë atë produkt më lirë. Për këtë arsye, nga muaji shtator ne do të lançojmë një platformë e cila quhet “Price Watch Albania”, e cila do të jetë pjesë e ‘Pasqyrë Albania’. Nëpërmjet platformës ne do të bëjmë publike dhe transparente, raportimin e bizneseve që merren me tregtinë me shumicë dhe pakicë, për çmimet bazë dhe konsumatorët do të mund të shohin dhe të zgjedhin se ku ta blejnë një produkt, i cili kushton më lirë. Nuk do të mjaftohemi me kaq. Nëpërmjet të gjithë mekanizmit të raportimit që po ngremë, do të analizojmë çmimin nga importi apo prodhimi deri tek raftet e supermarketeve apo tregjet”, tha Ibrahimaj.
Nisma, tha Ibrahimaj, nuk do të kufizohet vetëm te publikimi i çmimeve. Qeveria synon të monitorojë edhe të ashtuquajturin “zinxhir të çmimit”, nga momenti i importit ose prodhimit deri te pika e shitjes.
Përmes mekanizmit të ri të raportimit, institucionet do të analizojnë se ku krijohen diferencat e çmimeve dhe në cilin hallkë të zinxhirit mund të ndodhin rritje të pajustifikuara.
“Unë sot jam në Tiranë dhe çmimi i domates është 120 lekë, ndërkohë që në Lushnjë e njëjta domate tregtohet me 50 lekë. Ne duhet të kuptojmë se ku ndodh rritja e çmimeve dhe të ndërhyjmë aty ku ndodh, me qëllim që të mos ketë abuzime. Qeveria nuk ka të drejtë dhe nuk ka në dorë të përcaktojë çmime por ama qeveria ka në dorë të monitorojë dhe të krijojë transparencë. Në vende të tjera të Europës ku është përdorur ky mekanizëm ka pasur efektivitet në reduktimin real të çmimeve. Ndaj dhe ne kemi vendosur të ecim me këtë platformë që do të jetë një pasqyrë e çmimeve dhe një pasqyrë e mekanizmit që do të përdorim për transparencën e çmimeve ndaj qytetarit”, deklaroi ajo.
“Price Watch Albania” pritet të shërbejë si një instrument për të fuqizuar konsumatorët, dhe sipas ministres, mekanizma të ngjashëm të përdorur në vende të tjera europiane kanë dhënë rezultate në reduktimin e çmimeve, përmes rritjes së konkurrencës dhe transparencës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.