Pro marrëveshjes 302 mln euro me SHBA, kundër procedurës së përshpejtuar në Kuvend, Opozita propozon votimin të premten
Grupet parlamentare të Partisë Demokratike,PD, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim deklaruan se mbështesin në parim marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake, por kundërshtojnë mënyrën se si mazhoranca synon ta miratojë atë në Kuvend.
Në një deklaratë të përbashkët, opozita akuzon qeverinë se po kërkon ta ratifikojë marrëveshjen brenda ditës, në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa u dhënë deputetëve kohën e nevojshme për shqyrtimin e saj. Për këtë arsye, grupet parlamentare propozojnë që votimi përfundimtar të zhvillohet të premten.
“Po marrëveshjes me SHBA! Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, thuhet në reagim.
Sipas opozitës, Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, por kjo nuk mund të bëhet duke shkelur procedurat kushtetuese.
“Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë. Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën”, thuhet në deklaratë.
Opozita bën me dije se ka propozuar që gjatë seancës së sotme të miratohet vetëm procedura e përshpejtuar, ndërsa shqyrtimi dhe votimi përfundimtar i marrëveshjes të zhvillohen në një seancë të posaçme të premten, në mënyrë që deputetët të kenë kohë të njihen me përmbajtjen e saj.
“Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë. Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën. Partia Demokratike e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Ne e pranojmë këtë marrëveshje në parim, por nuk do të pranojmë kurrë që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të përdoren si justifikim për të shkelur Kushtetutën. Aleanca me SHBA forcohet duke respektuar ligjin, jo duke e shkelur atë. Ne na duhet standardi i anëtarëve të Kongresit amerikan, jo standardi i Taulant Ballës dhe Edi Ramës”, thuhet në reagim.
Sipas opozitës, propozimi i saj ishte që deputetëve t’u jepej mundësia të njiheshin me marrëveshjen, duke garantuar mospublikimin e saj, ndërsa ratifikimi të bëhej në një seancë plenare të posaçme ditën e premte. Në deklaratë pretendohet se kryetarja e Kuvendit kishte rënë dakord në parim me këtë propozim, por më pas ai u pengua nga kryeministri Edi Rama.
Opozita thekson gjithashtu se qeveria e kishte miratuar marrëveshjen në parim më 19 qershor 2026 dhe kishte pasur pesë javë kohë për ta sjellë për ratifikim në Kuvend, ndaj, sipas saj, nuk kishte asnjë arsye për miratimin e saj me procedurë të përshpejtuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.