Rinasi drejt Tiranës, Mazniku shpjegon propozimin e PS për Territorialen: Shkrirja e 15 bashkive nuk u heq qytetarëve shërbimet
Rinasi është i vetmi territor për të cilin Partia Socialiste propozon ndryshim kufijsh në hartën e re administrativo-territoriale. Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, e lidhi këtë lëvizje me interesin kombëtar dhe rolin ekonomik që aeroporti ka për kryeqytetin, duke argumentuar se administrimi nga Bashkia e Tiranës do të krijojë më shumë mundësi për investime dhe mirëmbajtje të zonës.
“Rasti i vetëm në të cilën kemi vendosur të propozojmë ndryshim territori, është rasti i Rinasit për arsye kombëtare. Është aset kombëtar. Tirana është nga këndvështrimi ekonomik përfituesja më e madhe e ekonomisë që Rinasi gjeneron. Territori rreth Rinasit, akset e rrugës rreth Rinasit, kanë nevojë për mirëmbajtje më estetike, ideja ishte për t’i dhënë mundësi që në atë territor të ekuilibrojmë përfituesin me atë që përmban kostot për mirëmbajtjen, pra Bashkia e Tiranës”, tha Mazniku.
Ndryshimi i Rinasit është pjesë e paketës së reformës së re territoriale, me të cilën socialistët propozojnë uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas Maznikut, qëllimi nuk është centralizimi i shërbimeve, por rritja e kapaciteteve të pushtetit vendor, ndërsa qytetarët nuk do të detyrohen të lëvizin në një bashki tjetër për të marrë shërbimet që përdorin sot.
Ai shpjegoi se në godinat ekzistuese do të vijojnë të ofrohen shërbimet administrative për banorët, ndërsa në bashkitë qendër do të përqendrohen funksionet që kërkojnë staf të specializuar, si planifikimi urban, hartimi i buxhetit, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet ligjore.
“Kjo është reformë që bëhet për të mirën e qytetarëve, për të pasur mundësi që çdo bashki të ofrojë shërbimet më të mira të mundshme. Elementi i dytë lidët me konceptin e decentralizimit. Cila funksione nga qeveria ne i afrojmë te bashkia. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Elementët që largon, janë elementët me plan buxhetor, urban, zhvillimin ekonomik, elementët ligjorë, elementë të cilat qytetari në thelb nuk shkon për të parë si është bërë vendimi i këshillit bashkiak. Ne kemi detyra që sot shumica i bashkive nuk i operojnë dot se s’kanë arkitektë, makineri. Pastrimi i kanalit kullues të kanalit vaditës do vazhdojë të bëhet në Belsh. Elementi fizik i punës do ndodhë aty”, u shpreh Mazniku.
Mazniku e cilësoi reformën si të domosdoshme edhe në funksion të procesit të integrimit europian, duke argumentuar se bashkitë duhet të kenë më shumë kapacitete për të përballuar standardet që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ai tha se puna e komisionit u zvarrit për shkak të opozitës, ndërsa theksoi se harta e re duhet të jetë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
“Opozita mori shumë kohë. Kur përmendin një kalendar, kalendari ka dy kolona, një kolonë ku ka temat dhe një kolonë ku ka datat. Që në ditën kur është krijuar komisioni afati i punës ka qenë 9 mujor. Dihej që do mbaronte në mes të korrikut, në maj 2027 do kemi zgjedhje vendore, të cilat ne duhet të hyrmë me sistem të ri dhe hartë të re territoriale në mënyrë që të përballemi me ato sfida që ka Shqipëria. Në 2029 Shqipëria do jetë pjesë e BE. Në atë moment nuk integrohet qeveria apo një zonë e Shqipërisë, por e gjithë Shqipëria. Nëse ne humbasim afatin e 2027, humbasim 8 vjet”, tha ai.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Mazniku mohoi se riorganizimi territorial është ndërtuar mbi llogari elektorale. Sipas tij, ndryshimet nuk sjellin avantazh politik për PS-në, por synojnë vetëm përmirësimin e shërbimeve që marrin qytetarët.
“Nuk e ndikon fare ndryshimin e rezultatit të PS në nivel kombëtar. Këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar eficencën e bashkive. Sot Elbasani, Cërriku dhe Belshi i administron PS. Kemi marrë 56-57% në zgjedhjet e fundit, nuk ka asnjë ndikim elektoral. Diskutimi elektoral është irrelevant, nuk ka asnjë ndikim. PS nuk është nisur në këtë reformë nga interesi i ofiqarëve të një bashkie apo tjetri. Por nga shërbime, si shkon më shumë ujë, si shtrohen më shumë rrugë. Interesi ynë nuk ka qenë politika, por si e bëjmë që qytetarëve shqiptarë t’u ofrohen shërbime më të mira”, theksoi Mazniku.
Projekti i socialistëve parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Sipas draftit, 33 bashki mbeten të pandryshuara, 28 pësojnë ndryshime territoriale, ndërsa qarqet nuk preken. Reforma parashikon gjithashtu krijimin e qyteteve me status të veçantë ligjor, të cilat do të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.