Sekuestrohet dhe kthehet “BMW X6” në Gjermani – Prokuroria e Pejës jep detaje
Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, përkatësisht Ekipin për Hetimin e Autokrimeve, ka përfunduar me sukses operacionin për sekuestrimin e automjetit të markës “BMW X6”, për të cilin autoritetet kompetente gjermane kishin lëshuar kërkesë për kërkim ndërkombëtar.
Sipas një njoftimi për media thuhet se operacioni është zhvilluar pas pranimit të informatave nga autoritetet kompetente gjermane, përmes zyrës së ILECU-së, se automjeti ishte në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të procedurës penale të iniciuar ndaj shtetasit kosovar Sh.Q. në Republikën Federale të Gjermanisë, për veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
“Më datë 07.08.2026, pas lokalizimit të automjetit, është realizuar sekuestrimi i tij, ndërsa Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të automjetit. Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, më datë 14.08.2026, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për kthimin e automjetit te pronari i tij, shtetasi gjerman R.D”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, me qëllim të trajtimit efikas të rasteve penale dhe zbatimit të ligjit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.