“Shtojmë zyrat e Ndihmës Juridike”, Gogu: Drejtësia duhet të matet me rezultatin që merr qytetari
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale disa nga prioritetet e punës për muajt e ardhshëm, duke theksuar nevojën për një sistem drejtësie më efikas dhe më të prekshëm për qytetarët. Gogu tha se “drejtësia duhet të matet”, duke nënvizuar se rezultatet e sistemit duhet të vlerësohen si nga qytetarët, ashtu edhe nga partnerët europianë.
“Drejtësia duhet të matet. Kjo është ideja qendrore e punës sonë në muajt e ardhshëm. Duhet të matet me rezultatet që pret qytetari, duhet të matet dhe me rezultatet që partnerët tanë europianë verifikojnë”, u shpreh ministri.
Një tjetër fokus i deklaratës së tij ishte Ndihma Juridike, për të cilën Gogu bëri me dije se numri i zyrave do të rritet nga 20 në 30 zyra. Sipas ministrit, synimi është që asnjë qytetar të mos mbetet pa akses në ndihmën juridike për shkak të pamundësive ekonomike.
“Asnjë qytetar, askush nuk mundet të jetë pa ndihmë juridike për shkak të pamundësisë ekonomike”, tha Gogu.
Ministri e cilësoi eficiencën e sistemit si një tjetër prioritet të rëndësishëm, duke theksuar se drejtësia duhet të funksionojë më shpejt dhe më mirë në shërbim të qytetarit.
“Ne do të masim rezultatet e sistemit dhe do të ndjekim çdo angazhim”, deklaroi ai. Gogu theksoi edhe nevojën për forcimin e të drejtave të njeriut, duke nënvizuar se për realizimin e këtyre objektivave secili institucion dhe individ ka përgjegjësinë e vet dhe se tashmë është përcaktuar edhe një afat për përmbushjen e tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.