Time Kadrijaj: Do ta japim nënshkrimin për shpërbërjen e Speciales nëse na kërkohet
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka deklaruar se është e gatshme të japë nënshkrimin për një iniciativë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale, nëse një kërkesë e tillë paraqitet në Kuvendin e Kosovës.
Kadrijaj e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se, sipas saj, nuk është e drejtë që vendimi të shpallet në emër të popullit të Kosovës.
“Është marre ajo çka ka ndodhur. Është e papranueshme që edhe vendimi të shpallet në emër të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës e ka dhënë verdiktin më 12 shtator me tubimin masiv”, ka deklaruar ajo, raporton Telegrafi.
Deputetja e AAK-së ka pretenduar se Gjykata Speciale është “puro politike” dhe se dosjet e saj janë sjellë nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj.
“Serbia është ajo që ka kryer krime e dhunime. Të dënohen ushtarët tanë, për besë kjo është marre”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka bërë të ditur se deri më tani nuk është kontaktuar për një iniciativë të tillë, por ka theksuar se do ta mbështeste atë nëse kërkohet.
“Ende nuk jemi kontaktuar, por që në momentin që kontaktohemi, ne e japim padyshim nënshkrimin. Ne edhe ashtu kemi qenë kundër krijimit të kësaj gjykate. Ne do t’i përgjigjemi pozitivisht një iniciative për shpërbërjen e Speciales në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Kadrijaj./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.