Berisha: Mbështesim huanë me SHBA por nuk votojmë procedura antikushtetuese
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për vendimin e mazhorancës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes.
Sipas tij, Partia Demokratike e mbështet marrëveshjen me SHBA-në për financimin e Forcave të Armatosura, por nuk pranon që ajo të votohet përmes një procedure që, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën.
“Kjo që ndodh sot në parlament brenda, ky është një akt tjetër i turpshëm i Edi Ramës, i cili një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtjeje, për çka PD është mirënjohëse, do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese. Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor”, tha Berisha.
Ai deklaroi se opozita kishte propozuar që marrëveshja të shqyrtohej sipas procedurës normale dhe të votohej në një seancë tjetër.
“Ne nuk votojmë në procedura antikushtetuese. Jemi pro kredisë dhe shprehim mirënjohje, por kërkojmë që të bëhet në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e trajton Kushtetutën si një “letër të vdekur”, duke pretenduar se mazhoranca po përdor procedurat parlamentare sipas interesave të saj.
“Rama kërkon të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të. Ky është një sundimtar që nuk ka ligj, as moral”, tha ai.
Lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në seancën e dytë plenare të parashikuar për orën 15:00, Berisha tha se qëndrimi i opozitës nuk lidhet me praninë fizike në sallë, por me kundërshtimin e procedurës së ndjekur.
“Qëndrimi i opozitës do jetë apo jo në parlament nuk ka rëndësi. Opozita nuk do pranojë kurrë të votojë në procedura antikushtetuese”, deklaroi Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.