Trump u rikthehet pretendimeve për zgjedhje të manipuluara
Prej vitesh, presidenti Trump ka pretenduar, pa paraqitur prova, se çdo palë zgjedhje që ka humbur, apo që ka pasur frikë se mund t’i humbiste, kanë qenë të manipuluara. Prandaj, shumë njerëz u habitën kur, natën e zgjedhjeve të javës së kaluar, pas humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet e mesmandatit, ai deklaroi se ishte «plotësisht i gatshëm» t’i pranonte rezultatet.
Por ky qëndrim nuk zgjati as një javë.
«A beson vërtet ndokush se këto ‘zgjedhje’ ishin të ndershme?», shkroi Trump të hënën në rrjetet sociale, duke rifilluar përpjekjet për të ngritur dyshime mbi rezultatet, pas fitoreve të mëdha të demokratëve.
«Si ka mundësi që sondazhet gabuan kaq shumë??? Disa ‘vërshime’ votash nga votimi i parakohshëm ishin aq të mëdha, saqë ishte e pamundur të fitoje, pavarësisht sa njerëz shkonin të votonin. Gjithçka lidhet me makineritë e votimit, të cilat janë shumë më të rëndësishme se vetë votuesi!»
Ditët e fundit, Trump i është rikthyer zakonit të përhapjes së teorive konspirative për mashtrime zgjedhore në shkallë të gjerë. Të shtunën, ai shpërndau disa postime të përdoruesve të tjerë, të cilët vinin në dyshim rezultatet përmes teorive të ndërlikuara matematikore mbi manipulimin e zgjedhjeve.
Zyrtarët përgjegjës për zgjedhjet kanë deklaruar se procesi i votimit u zhvillua përgjithësisht pa probleme, me shumë pak incidente të rëndësishme dhe pa asnjë provë për manipulime të përhapura.
Trump ishte përpjekur të krijonte terrenin për pretendime të tilla që përpara ditës së zgjedhjeve. Ai ndërmori një fushatë intensive për të rritur kontrollin federal mbi procesin zgjedhor dhe për të mbjellë dyshime mbi rezultatet. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre përpjekjeve u bllokua nga gjykatat.
Administrata e tij udhëzoi agjentët federalë të kontrollonin listat zgjedhore të shteteve dhe bazat federale të të dhënave për të identifikuar votues që nuk kishin shtetësi amerikane.
Administrata paditi 30 shtete dhe Distriktin e Kolumbias, pasi ato refuzuan t’u bindeshin kërkesave të qeverisë federale për dorëzimin e listave të votuesve. Por pretendimet e Trump se një numër i madh personash pa shtetësi amerikane votonin në mënyrë të paligjshme nuk u mbështetën në gjykatë. Administrata humbi më shumë se dy duzina prej këtyre çështjeve.
Gjykata e Lartë bllokoi gjithashtu përpjekjen e Trump për ta detyruar Shërbimin Postar Amerikan të kontrollonte fletët e votimit të dërguara me postë.
Administrata u përpoq madje të kundërshtonte paraprakisht certifikimin e zgjedhjeve për Senatin në Alaskë, në rast se kandidati republikan do të humbiste me një diferencë të vogël. Në thelb, kjo ishte një përpjekje për të anuluar një fitore të mundshme të kundërshtarit, ende pa u numëruar votat.
Një gjykatës federal e rrëzoi padinë.
Vëmendja që Trump u kushtoi makinerive të votimit në postimin e tij të së hënës ishte veçanërisht domethënëse, duke pasur parasysh përpjekjet e administratës së tij gjatë muajve të fundit për të vënë në dyshim besueshmërinë e këtyre pajisjeve.
Në shtator, sekretarja e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të shqyrtonte nëse një model makinerie votimi, i përdorur gjerësisht në vend, ishte në gjendje të krijonte një regjistrim të verifikueshëm të votave.
Muajin e kaluar, Trump priti në Zyrën Ovale Tina Peters, një ish-zyrtare zgjedhore e një qarku në Kolorado, e cila ishte dënuar për ndërhyrje të paligjshme në makineritë e votimit pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Peters i ka kërkuar Trump të inspektojë ose të konfiskojë makineritë e votimit, një veprim që, sipas ekspertëve ligjorë, do të përbënte tejkalim të kompetencave të qeverisë federale.
Në fakt, makineritë e votimit u nënshtrohen tashmë kontrolleve dhe rregullave të rrepta, përmes testimeve dhe certifikimeve nga agjencitë federale, autoritetet shtetërore, zyrat vendore të zgjedhjeve dhe laboratorët privatë.
Postimet e fundit të Trump janë pjesë e një modeli të gjatë sjelljeje.
Dikur ai kundërshtoi edhe rezultatet e çmimeve Emmy. Në vitin 2012 pretendoi, në mënyrë të pavërtetë, se presidenti Barack Obama nuk kishte fituar votën popullore.
Në vitin 2016, Trump deklaroi se senatori Ted Cruz i Teksasit ia kishte «vjedhur» fitoren në zgjedhjet paraprake republikane në Iowa.
Po atë vit, përpara se të mundte Hillary Clinton dhe të fitonte presidencën, ai parashikoi se zgjedhjet e përgjithshme do të ishin «të manipuluara».
Në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, Trump përsëriti pretendimin se do t’ia vidhnin fitoren dhe refuzoi të angazhohej për një kalim paqësor të pushtetit. Kjo periudhë përfundoi me trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Demokratët e dënuan rikthimin e Trump te pretendimet për manipulim zgjedhor.
«Rikthimi patetik i Donald Trump te mohimi i rezultateve të zgjedhjeve ishte i pashmangshëm», shkroi në rrjetet sociale senatori Chuck Schumer nga Nju Jorku, udhëheqësi i demokratëve në Senat.
«Ai mund të ankohet sa të dojë, por asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë të pashmangshme: gjatë dy viteve të fundit të presidencës së tij, Trump do të përballet me shumicat më të mëdha demokrate në Kongres prej dekadash, dhe e gjithë kjo sepse ai ka qenë një dështim i paprecedentë.»
Rikthimi i Trump te mohimi i rezultateve zgjedhore u prit ftohtë edhe nga disa përfaqësues të së djathtës.
Komentatorja konservatore Megyn Kelly iu përgjigj postimit të Trump me vetëm dy fjalë:
«Mjaft më.»



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.